Sot Drejtori i ESHPI-së, z. Eljesa Neziri ka marrë mirënjohje të veçantë nga Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska për mbështetjen e dhënë në procesin e mbrojtjes së rubinit maqedonas si gur gjysmë i çmuar kombëtar. Ajo theksoi se ky hap përfaqëson një moment historik për ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë natyrore dhe minerale të vendit.
“Dëshiroj të falënderoj Drejtorin Eljesa Neziri për bashkëpunimin e shkëlqyer institucional dhe për përkushtimin që tregoi gjatë gjithë procesit të mbrojtjes së rubinit maqedonas. Mbështetja e EShPI-së ishte kyçe për finalizimin me sukses të kësaj nisme me rëndësi të veçantë kombëtare,” deklaroi ministrja Bozhinovska.
Ajo shtoi se mbrojtja zyrtare e rubinit maqedonas si gur gjysmë i çmuar kombëtar është rezultat i punës së përbashkët dhe koordinimit ndërmjet institucioneve. “Ky sukses dëshmon se kur institucionet bashkëpunojnë me vizion dhe përgjegjësi, ne arrijmë të mbrojmë dhe promovojmë vlerat tona autentike për brezat e sotëm dhe të ardhshëm,” përfundoi Bozhinovska.
Drejtori, Eljesa Neziri, vlerësoi se mbrojtja zyrtare e rubinit maqedonas si gur gjysmë i çmuar kombëtar përbën një arritje të rëndësishme për shtetin dhe për ruajtjen e trashëgimisë së tij natyrore.
“Ishte nder dhe përgjegjësi për EShPI-në të japë kontributin e saj në këtë proces me rëndësi kombëtare. Rubini maqedonas është një pasuri unike që meriton mbrojtje institucionale dhe promovim të denjë. Falënderoj Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, si dhe ministren Sanja Bozhinovska për bashkëpunimin e shkëlqyer. Ky sukses dëshmon se përmes angazhimit të përbashkët mund të mbrojmë vlerat autentike që e dallojnë vendin tonë,” deklaroi Neziri.