Më 17 dhe 18 nëntor 2026, në hotelin “Meriot” në Shkup, u mbajt një trajnim dyditor me temën „Pronësia intelektuale për gazetarët: Kuptimi dhe komunikimi i temave nga fusha e pronësisë intelektuale – Ditët e Edukimit Mediatik 2026”.
Trajnimi u organizua në kuadër të projektit „EU4IP-WB6+Moldova – Mbështetja e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Republikën e Moldavisë”, në bashkëpunim ndërmjet Entit Shtetëror për Pronësi Industriale (ESHPI) dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për Pronësi Intelektuale (EUIPO).
Ngjarjen e hapi zëvendësdrejtoresha e ESHPI-së, Jelena Peeva, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me mediat dhe rolin e tyre në informimin e publikut për rëndësinë e pronësisë intelektuale.
Qëllimi i trajnimit ishte t'u mundësonte gazetarëve të fitonin njohuri dhe aftësi praktike për të kuptuar, hulumtuar dhe raportuar në mënyrë profesionale mbi çështjet që lidhen me pronësinë intelektuale.
Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me të drejtat e pronësisë intelektuale, kuadrin institucional dhe ligjor në Maqedoninë e Veriut, si dhe me praktikat dhe perspektivat evropiane në këtë fushë.
Programi përfshiu prezantime dhe diskutime me përfaqësues të EUIPO-s dhe Observatorit Evropian për Shkeljet e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, Zyrës Daneze për Patenta dhe Marka Tregtare (DKPTO), Organizatës Greke për Pronësi Industriale (OBI), si dhe me ekspertë vendas – prof. dr. Neda Zdraveva dhe dr. Valentin Pepeljugoski.
Përmes ushtrimeve praktike, diskutimeve interaktive dhe shkëmbimit të përvojave me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, gazetarët avancuan njohuritë dhe aftësitë e tyre për identifikimin dhe trajtimin e temave nga fusha e pronësisë intelektuale, shndërrimin e tyre në storie gazetareske relevante, si dhe komunikimin e tyre të qartë, të kuptueshëm dhe të përgjegjshëm me publikun.
Me këtë iniciativë, ESHPI dhe EUIPO riafirmojnë rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me mediat dhe rolin e gazetarëve si partnerë të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit publik për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
ESHPI shpreh mirënjohjen e sinqertë ndaj EUIPO-s për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij trajnimi, të organizuar në kuadër të projektit EU4IP-WB6+Moldova.